Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë kanë krijuar paqartësi për përbërjen e re të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë së ardhshme.
Analistët politikë vlerësojnë se situata e krijuar e bën të pashmangshme arritjen e kompromiseve mes partive për ndërtimin e një mazhorance qeverisëse.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më shumë vota, duke siguruar rreth 41.29% të mbështetjes, një rënie nga zgjedhjet e vitit 2021 kur fitoi mbi 50%. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës (21.83%), Lidhja Demokratike e Kosovës (17.75%) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (7.68%). Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar 3.96% të votave, duke dominuar brenda komunitetit serb.
Përbërja përfundimtare e Kuvendit, i cili ka 120 ulëse, do të përcaktohet pas numërimit të plotë të votave, përfshirë ato nga diaspora dhe votat me kusht. Komunitetet joshumicë kanë të garantuara 20 vende në Kuvend, me 10 prej tyre të rezervuara për përfaqësuesit serbë.
Ekspertët politikë vlerësojnë se rezultati aktual krijon një skenar të paqartë për formimin e qeverisë. Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se ndryshime të mundshme në shpërndarjen e mandateve mund të ndodhin pas numërimit të votave nga jashtë. Ai thekson se nëse Vetëvendosje arrin në 49-50 deputetë, llogaritjet për formimin e qeverisë do të ndryshojnë ndjeshëm.
Në këtë situatë, kompromiset duken të pashmangshme. Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se, pavarësisht se është fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje nuk mund të qeverisë e vetme, pasi një qeveri me pakicat do të ishte jostabile. Nëse partitë opozitare bashkohen për të formuar qeverinë, edhe ky opsion do të kishte vështirësi për stabilitet afatgjatë.
Partitë kryesore kanë deklaruar pozicionet e tyre lidhur me koalicionet e mundshme. Vetëvendosje ka përjashtuar bashkëpunimin me opozitën e deritanishme, ndërsa LDK dhe AAK kanë refuzuar çdo mundësi për një koalicion me partinë e Albin Kurtit. PDK, ndërkaq, nuk ka vendosur “vija të kuqe” për asnjë parti, duke e lënë të hapur mundësinë për negociata.
Në pritje të rezultateve përfundimtare, situata politike në Kosovë mbetet e tensionuar dhe e hapur për skenarë të ndryshëm. Një gjë është e sigurt: asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme, dhe kompromiset do të jenë kyçe për formimin e ekzekutivit të ri.