Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u bën thirrje punonjësve të Policisë të veprojnë me maturi, gjakftohtësi dhe të përdorin ligjin si udhërrëfyes gjatë procesit zgjedhor.
Paraditen e sotme, u zhvillua instruktazhi i fundit për punonjësit e Policisë të angazhuar në ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Ky instruktazh u mbajt në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë, ku morën pjesë drejtuesit e Drejtorive dhe të Komisariateve, të cilët përcollën mesazhet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, për angazhimin dhe profesionalizmin e nevojshëm për këtë periudhë të rëndësishme.
Proda u shpreh për punonjësit e Policisë: “Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin që keni treguar deri tani dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe nga ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit”. Ai theksoi se këto ditë janë një mundësi për të treguar angazhimin e Policisë për të siguruar një proces të qetë dhe të rregullt zgjedhor.
Drejtori i Policisë i bëri thirrje punonjësve të ruajnë gjakftohtësinë dhe të veprojnë me maturi, duke përdorur ligjin si udhërrëfyes për të përmbushur detyrat e tyre. Ai theksoi rëndësinë e përmbushjes së detyrave me korrektësi dhe pa asnjë lloj ndikimi që mund të vë në rrezik procesin zgjedhor.
Për të ndihmuar punonjësit e Policisë në këtë mision të rëndësishëm, atyre iu shpërndanë librat e xhepit, ku janë përfshirë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që ata duhet të përmbushin gjatë këtij procesi. Ky libër është prodhuar nga Policia e Shtetit dhe ka për qëllim sigurimin e një udhëzuesi të detajuar për secilin punonjës të angazhuar.
Punonjësit e Policisë janë shpërndarë në vendet e planifikuara për shërbim, për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe për të siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Angazhimi i policisë gjatë këtij procesi është kyç për mbajtjen e një atmosfere paqeje dhe sigurie gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, duke siguruar besimin e qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare në procesin zgjedhor.