Jola Hysaj denoncon mungesën e vëmendjes ndaj nënave të vetme dhe u bën thirrje institucioneve që të mos i harrojnë më këto gra që luftojnë çdo ditë për mbijetesë.
Në një reagim të ndjerë në rrjetet sociale, kandidatja për deputete në Durrës nga radhët e Partisë Demokratike, Jola Hysaj, ka ngritur zërin për një kategori shpesh të padukshme në diskursin publik: nënat e vetme. Ajo i quan “heroinat e heshtura” të Shqipërisë, që nuk kërkojnë lëmoshë, por dinjitet dhe drejtësi.
Në mesazhin e saj, Hysaj ndalet te historia reale e Gentës, një gruaje që rriti vetëm djalin e saj ndërsa ndiqte universitetin. Me sakrifica të jashtëzakonshme, Genta përballonte çdo ditë rrugën në këmbë për të ndjekur mësimet, ndërkohë që përballonte mungesën e të ardhurave dhe një realitet të ashpër social. Në fund, ajo u detyrua të heqë dorë nga studimet për të ushqyer fëmijën e saj.
Jetonte në kushte të vështira, në një dhomë të vetme, me një krevat dhe pa asnjë mbështetje. Punonte gjatë gjithë ditës, shpesh pa ngrënë. E heshtur, por me dinjitet. E lodhur, por e palëkundur. Hysaj thotë se gratë si Genta janë fytyra e vërtetë e një Shqipërie që shteti shpesh zgjedh të mos e shohë.
Ajo vë theksin te indiferenca institucionale dhe pyet publikisht: “Ku është shteti për këto gra? Për ato nëna që shkojnë me fëmijët në punë, që nuk lypin, por sakrifikojnë çdo ditë për të jetuar me nder?” Politika, sipas saj, duhet të kthehet në shërbim të njerëzve dhe jo të interesave klienteliste.
Hysaj shprehet me forcë se nuk mund të heshtë përballë padrejtësive. “Jam nënë, jam grua, jam vajzë dhe nuk mund të qëndroj në heshtje. Ka me qindra Genta në këtë vend, dhe të gjitha meritojnë më shumë,” shkruan ajo.
Në përfundim, ajo bën thirrje për një shtet që të jetë i drejtë dhe njerëzor, jo vetëm për të pasurit, por edhe për më të pambrojturit. Mesazhi i saj ngre një shqetësim të thellë social dhe fton shoqërinë të mos e kthejë kokën tjetër kur nënat e vetme luftojnë në heshtje.