Zelensky pas takimit në Arabinë Saudite: SHBA-të mund të ndërmarrin veprime të forta nëse Rusia refuzon armëpushimin

Pas takimit të zhvilluar në Arabinë Saudite, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një koment të rëndësishëm për zhvillimet e fundit mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë, që kishin si fokus bisedimet për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë. Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, Zelensky tha se nëse Rusia refuzon propozimin për armëpushim, Ukraina mund të presë veprime të forta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti ukrainas theksoi se propozimi 30-ditor për armëpushimin, i diskutuar gjatë takimit në Jeddah, është një mundësi për të ndalur dhunën dhe për të hapur rrugën për një zgjidhje diplomatike. Ai theksoi gjithashtu se çdo refuzim i këtij propozimi nga Rusia do të përballë veprime të fuqishme nga ana e SHBA-së, duke përfshirë mundësinë e sanksioneve dhe mbështetje të mëtejshme për Ukrainën.

“Nëse Rusia refuzon, mund të presim hapa të fortë nga SHBA. Do të jetë një përballje me pasoja për ta,” u shpreh Zelensky, duke shtuar se detajet e mundshme të këtyre hapave ende nuk janë të qarta, por ato mund të përfshijnë sanksione dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për Ukrainën.

Kreu i shtetit ukrainas gjithashtu theksoi se Ukraina nuk do të pranojë kurrë njohjen e territoreve të pushtuara nga Rusia. Ai e cilësoi këtë si një çështje të pa diskutueshme, duke u shprehur se populli ukrainas ka luftuar dhe ka sakrifikuar shumë për të mbrojtur këtë territor.

“Ne nuk do të njohim asnjë teritor të pushtuar nga Rusia. Ky është një fakt i patundshëm. Kjo është diçka për të cilën populli ynë ka luftuar dhe ka bërë sakrifica të mëdha. Askush nuk mund ta fshijë këtë,” tha Zelensky.

Në përfundim të deklaratave të tij, Presidenti ukrainas theksoi gatishmërinë e Ukrainës për të nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në që do të ndihmojë në sigurimin e mineralëve të rrallë të tokës, një hap që mund të forcojë më tej bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik mes dy shteteve.

Ndaj Postimin: