Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka shpëtuar një incidenti të mundshëm pasi disa drone të dyshuar u afruan pranë avionit të tij gjatë fluturimit drejt Dublinit të hënën. Mediat irlandeze raportojnë se drone të tipit ushtarak, me origjinë ende të paidentifikuar, shkelën zonën e ndalim fluturimit dhe u drejtuan në drejtim të avionit presidencial.
Sipas portalit informativ The Journal, prania e droneve ngriti menjëherë alarmin e sigurisë për autoritetet irlandeze. Megjithatë, avioni me delegacionin ukrainas u ul pa incidente, pasi kishte mbërritur në Dublin më herët se ora e planifikuar.
Zelensky dhe ekipi i tij qëndruan në Irlandë deri të martën, në kuadër të një turi diplomatik për sigurimin e mbështetjes nga liderët evropianë, në kushtet e pushtimit të vazhdueshëm rus.
Rastet e droneve të paidentifikuar janë shtuar së fundmi në disa pika të Europës, duke shqetësuar autoritetet e aviacionit. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i ka cilësuar këto episode si pjesë të luftës hibride që synon destabilizimin e vendeve evropiane.


