Zef Pergega në emisionin “Na Thërret Atdheu” nga gazetari Besnik Sulejmani: “Atdheu, Gjuha dhe Liria Duhet të Ecim Bashkë”

Intelektuali dhe publicisti Zef Pergega ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, duke deklaruar se ëndrra e çdo intelektuali është që atdheu, gjuha dhe liria të ecin bashkërisht.

Në një intervistë për emisionin “Na Thërret Atdheu” të gazetarit Besnik Sulejmani, Pergega kujtoi dy momentet historike kur Shqipëria është boshatisur nga popullsia: pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe gjatë shekullit të 16-të, kur principatat shqiptare humbën banorët e tyre.

Sipas tij, diaspora ka qenë historikisht e neglizhuar nga qeveritë shqiptare, të cilat nuk kanë treguar interes të vazhdueshëm për të përfshirë potencialin e saj në zhvillimin e vendit. “Pse truri i shqiptarëve punon jashtë, por nuk gjen hapësirë në Shqipëri?” – pyeti ai, duke shtuar se rigjenerimi i mendimit dhe jo ndryshimi i vendit është çelësi për një rini të re dhe të fuqishme.

Pergega kritikoi perceptimin e gabuar që kanë autoritetet ndaj emigrantëve, të cilët shpesh shihen si vizitorë të përkohshëm që vijnë vetëm për të përfituar shërbime të vogla. “Qeveria nuk duhet t’i shohë emigrantët si dikush që vjen vetëm për të rregulluar dhëmbët,” theksoi ai.

Ai propozoi ngritjen e një legjislacioni të posaçëm dhe krijimin e një komiteti me përfaqësues nga diaspora dhe Shqipëria, i cili do të mundësonte një bashkëpunim më efektiv për të përdorur potencialin e emigrantëve në të mirë të vendit.

I pyetur nga gazetari Besnik Sulejmani për fatin e të ardhurave nga zona naftëmbajtëse e Patos-Marinzës, një nga më të mëdhatë në Europën Kontinentale, Pergega u shpreh se kjo çështje duhet të shihet edhe nga këndvështrimi kulturor. Ai theksoi se roli i shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë në diasporë shpesh keqpërdoret në vend, duke ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e burimeve kombëtare.

Në përfundim, Pergega bëri thirrje për një qasje të re nga shteti shqiptar, që të njohë vlerën e diasporës jo vetëm si burim financiar, por edhe si një forcë intelektuale për rigjenerimin e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera