Astronomët në mbarë botën kanë vëzhguar një valë radioje të përmasave gjigante që rrjedh nga një kuazar i ndritshëm, i cili daton në një periudhë shumë të hershme të universit, rreth 1 miliard vite pas Big Bengut.
Ky zbulim hedh dritë mbi evolucionin e galaktikave dhe vrimave të zeza në fillimet e kozmosit.
Kuazari, një objekt galaktik jashtëzakonisht i ndritshëm me një vrimë të zezë masive në qendër, ka lëshuar këtë valë radioje, e cila është sa dyfishi i shtrirjes së Rrugës së Qumështit. Sipas astronomëve, kjo është vala më e madhe e këtij lloji e zbuluar ndonjëherë në universin e hershëm.
Ndërsa valët radioje janë një fenomen i zakonshëm në hapësirë, zbulimi i tyre në universin e largët ka qenë sfidues për shkak të sfondit të errët të mikrovalëve, të mbetura nga Big Bangu. Sidoqoftë, madhësia ekstreme e këtij kuazari e ka bërë të mundur vëzhgimin e tij nga Toka.
Ky studim, i publikuar në revistën shkencore “Astrophysical Journal Letters”, është rezultat i bashkëpunimit të observatorëve në Evropë, Havai dhe Teksas. Sipas matjeve, vala radioje me dy tehe ka një shtrirje prej të paktën 200,000 vite dritë, duke e bërë atë një nga strukturat më të mëdha të zbuluara deri më tani në këtë epokë të hershme të universit.
Kuazari në fjalë u zbulua disa vite më parë dhe besohet se është formuar kur universi kishte vetëm 9% të moshës së tij aktuale, pra rreth 1.2 miliardë vite pas krijimit të tij. Këto objekte kozmike janë bërthama galaktike të pasura me gaz dhe pluhur, të cilat bien në vrimat e tyre të zeza duke çliruar energji të jashtëzakonshme, çka i bën ato ndër objektet më të ndritshme në univers.
Masa e këtij kuazari është sa 450 milionë herë masa e Diellit, ndërsa vrima e zezë në qendër të tij, megjithëse gjigante, nuk konsiderohet ndër më masivet. Ky zbulim ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë proceset që formuan universin në fazat e tij më të hershme.
Studime të mëtejshme mbi këtë fenomen pritet të ofrojnë më shumë të dhëna mbi mënyrën se si kuazarët dhe galaktikat kanë evoluar përgjatë miliardave vite. Ndërkohë, astronomët vijojnë të eksplorojnë qiellin për të zbuluar më shumë sekrete të universit të hershëm.