Zbulime të reja në Biçukas ndriçojnë historinë Ilire të Divjakës

Gjetjet arkeologjike në kodrat e Biçukasve zbulojnë aspekte të panjohura të qytetërimit ilir në zonën e Divjakës, duke nxitur kërkime të reja dhe interes të shtuar për trashëgiminë kulturore të rajonit.

Kodrat e fshatit Biçukas, që shtrihen në bashkinë e Divjakës, kanë rezultuar një pasuri e vërtetë arkeologjike për Shqipërinë. Prej disa ditësh, një ekspeditë e ngritur nga instituti kombëtar i trashëgimisë kulturore po zhvillon gërmime intensive në zonën e kishës së Shën Gjergjit, një pikë me rëndësi jo vetëm për Divjakën, por edhe për Kavajën, përtej lumit Shkumbin.

Gjatë gërmimeve janë zbuluar objekte të rëndësishme si muret rrethuese të një kishe antike, monedha të periudhave të ndryshme, një varr dhe kolona që dëshmojnë për ndërtime të lashta. Specialistët theksojnë se këto gjetje pritet të hedhin dritë të re mbi qytetërimin ilir dhe lidhjet e tij me zonat përreth.

Sipas Mateo Profkës, specialist në institutin kombëtar të trashëgimisë kulturore, të gjitha objektet e zbuluara, përfshirë kishën, monedhat dhe elementë të tjerë, do t’i nënshtrohen analizave të specializuara. Studimet e mëtejshme do të konfirmojnë origjinën dhe historinë e tyre, me të dhënat paraprake që sugjerojnë një lidhje të fortë me periudhën ilire.

Një rol të veçantë në ruajtjen dhe prezantimin e këtyre zbulimeve e ka muzeu historik i qytetit të Lushnjës. Një e katërta e objekteve të ekspozuara aty vijnë pikërisht nga gërmimet në Biçukas, duke u kthyer në një atraksion të rëndësishëm për vizitorët dhe studiuesit.

Arkeologu dhe doktori i shkencave Niko Ferro jep detaje për vlerën e objekteve të zbuluara në Biçukas. Ai thekson se kjo zonë, së bashku me vendbanimet e afërta si qyteti i lashtë i Arnisës në Babunjë, përbën një potencial të madh arkeologjik që duhet të shfrytëzohet edhe për zhvillimin e turizmit.

Ferro i bën thirrje institucioneve përkatëse të rrisin vëmendjen dhe investimet në kërkimet arkeologjike, pasi Biçukasi mund të fshehë edhe shumë të tjera të paeksploruara. Sipas tij, duhet nisur puna edhe për gërmime të reja pranë kishës së Shën Gjergjit, aty ku besohet se ndodhej një vendbanim i rëndësishëm ilir.

Këto zbulime të fundit pritet të sjellin jo vetëm njohje më të thellë të së kaluarës sonë, por edhe mundësi të reja për zhvillimin kulturor dhe turistik të Divjakës dhe të gjithë rajonit.

Ndaj Postimin: