Një ekip shkencëtarësh izraelitë ka identifikuar mekanizmat e trurit që ndikojnë në aftësinë për të njohur gjendjet emocionale të të tjerëve, një zbulim me potencial për trajtimin e çrregullimeve sociale si autizmi.
Autizmi është një çrregullim neurozhvillues që karakterizohet nga vështirësi në komunikimin dhe ndërveprimin shoqëror, si dhe nga sjellje të përsëritura dhe interesa të kufizuara. Studimi i publikuar në revistën Current Biology ka nxjerrë në pah rolin e korteksit parafrontal medial (mPFC) në përpunimin e emocioneve dhe në sjelljen sociale.
Njohja e emocioneve është thelbësore për ndjeshmërinë, duke ndihmuar individët të krijojnë lidhje dhe të reagojnë në mënyrë të përshtatshme ndaj të tjerëve. Për personat me autizëm, kjo aftësi shpesh është e dëmtuar, duke e bërë të vështirë ndërveprimin shoqëror. Për të eksploruar mekanizmat nervorë që qëndrojnë pas kësaj vështirësie, studiuesit nga Universiteti i Haifës përdorën modele eksperimentale me minj.
Duke aplikuar teknika të avancuara, si manipulimet gjenetike dhe matjet nervore në kohë reale, shkencëtarët analizuan mënyrën se si neuronet në rajonin paralimbik të mPFC reagojnë ndaj gjendjeve emocionale të minjve të tjerë. Rezultatet treguan se këto neurone përgjigjeshin ndryshe kur ekspozoheshin ndaj minjve të stresuar në krahasim me ata të qetë.
Eksperimentet zbuluan gjithashtu se minjtë kishin tendencën të qëndronin pranë minjve të stresuar, duke treguar një sjellje të bazuar në gjendjen emocionale të tjetrit. Megjithatë, kur aktiviteti nervor në mPFC u bllokua, minjtë humbën aftësinë për të dalluar emocionet e të tjerëve.
Ky zbulim sugjeron se aktiviteti i mPFC është vendimtar në përpunimin e emocioneve dhe ndikimin në sjelljen shoqërore, përfshirë vendimmarrjen nëse duhet t’i afrohemi apo t’i shmangim të tjerët në bazë të ndjesive të tyre.
Studiuesit besojnë se çrregullimet në këtë aktivitet nervor mund të ndihmojnë në shpjegimin e vështirësive sociale të hasura tek personat në spektrin e autizmit. Si hapi i ardhshëm, ekipi kërkimor planifikon të studiojë minj me mutacione gjenetike të lidhura me autizmin, për të kuptuar më mirë ndikimin e ndryshimeve nervore në sjelljen e tyre.