Zbardhet vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka, arrestohen dy autorët e dyshuar në Shkodër

Policia e Shkodrës ka finalizuar hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, e ndodhur më 27 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re, duke vënë në pranga dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e krimit”, pas hetimeve intensive të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, janë arrestuar shtetasit Klaudio Lisaj, 20 vjeç, banues në fshatin Mgull, dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.

Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, duke çuar në ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj dy të dyshuarve.

Sipas autoriteteve, dy të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Ndaj Postimin: