Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në rrugën “Berit Beker”, ku një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në rrethana aksidentale.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 01:40, shërbimet e Policisë janë njoftuar për plagosjen dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke nisur hetimet për sqarimin e rrethanave. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, i cili dyshohet se, duke menduar se arma e zjarrit pistoletë nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht, duke plagosur shokun e tij 17-vjeçar.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin R. S. për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Gjithashtu janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, të dyshuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. 17-vjeçari i plagosur ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.