Është zbardhur dinamika e vrasjes së ndodhur në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë, ku humbi jetën 57-vjeçari Petrit Ndou pas një konflikti mes drejtuesve të mjeteve.
I dyshuari për ngjarjen, Andi Vokrri, 28 vjeç, është marrë në pyetje nga autoritetet hetimore, ku ka mohuar se është autor i vrasjes, duke deklaruar se mes tij dhe viktimës ka pasur vetëm një debat verbal për kalimin në rrugë dhe fërkimin e automjeteve. Nga verifikimet rezulton se i riu ka qenë nën efektin e alkoolit gjatë drejtimit të mjetit dhe në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë.
Sipas të dhënave paraprake, pas fërkimit të makinave, palët janë larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes, por më pas janë kthyer për t’u përballur sërish. Konflikti ka përshkallëzuar, duke përfunduar me përdorimin e një mjeti të fortë.
Dëshmitare okulare e ngjarjes ka qenë bashkëshortja e viktimës, e cila ka deklaruar se Petrit Ndou është goditur në kokë me çekiç nga i riu. Edhe personat e tjerë që ndodheshin në automjet me të dyshuarin kanë dëshmuar se janë përpjekur ta ndalojnë, por ai është larguar nga vendi i ngjarjes me çekiçin në dorë.
Si provë materiale, Policia ka sekuestruar çekiçin që dyshohet se është përdorur në konflikt. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.