Xhemal Nexha, poeti lushnjar që “i jep leje pranverës” për herë të gjashtë!

Poeti i njohur lushnjar Xhemal Nexha vjen sërish për lexuesit e tij besnikë me librin më të ri poetik, të titulluar “Jepi një leje pranverës”, botimi i gjashtë në rrugëtimin e tij letrar.

Me një penë të ndjeshme, të mprehtë dhe plot ngjyrime emocionale, poeti sjell ndjeshmërinë e trevës së Myzeqesë, dashurinë për jetën dhe forcën e fjalës së vërtetë që prek shpirtin.

Libri është i ndarë në tre kapituj, ku çdo pjesë përfaqëson një dimension të ndryshëm të ndjeshmërisë poetike. Dashuria, natyra, kthjelltësia e shpirtit njerëzor, por edhe brenga dhe reflektimi mbi kohën që ikën, janë disa nga temat që gjejnë vend në këtë botim të ri.

Një risi e veçantë e këtij libri është kapitulli i kushtuar zonës së Dumresë dhe qytetit piktoresk të Belshit, ku poeti gërsheton me mjeshtëri bukurinë natyrore me ndjesinë njerëzore, duke krijuar vargje që frymojnë dhe frymëzojnë.

Gjatë një promovimi ekskluziv për mikrofonin e TV Apollon, poeti Xhemal Nexha u shpreh:
“Në çdo varg përpiqem të sjell aromën e pranverës që lind në shpirt. Poezia është mënyra ime për të dashur jetën, për ta parë botën përtej dukjes, me sytë e ndjenjës dhe mendimit.”

“Jepi një leje pranverës” është një ftesë për të gjithë lexuesit që duan të prekin me fjalë emocione të thella, dashuri të heshtura, natyrë që flet dhe pranverë që lind në brendësinë e çdo shpirti që di të ndjejë.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: