Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar sot vendimin për faljen e 13 personave që u ndaluan gjatë protestave dhe bllokadave masive në vend.
Ky vendim vjen pas shqyrtimit të propozimeve nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni i Faljes.
Në listën e personave të falur përfshihen gjashtë studentë nga qytete të ndryshme të Serbisë, një dekan dhe katër drejtorë shkollash, si dhe disa persona të tjerë. Presidenca ka bërë të ditur se vendimi tashmë i është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë për zbatim procedural.
Propozimet për falje iu paraqitën Presidentit nga Ministria e Drejtësisë të hënën, më 27 janar, duke përfshirë edhe kërkesën për përjashtimin nga ndjekja penale të të ndaluarve. Komisioni i Faljes shqyrtoi çështjen në mbledhjen e sotme dhe miratoi njëzëri propozimet e ministrisë, çka i hapi rrugën vendimit final të Vuçiç.
Ky zhvillim vjen pas tensioneve të vazhdueshme në Serbi, ku protestat masive kanë përfshirë qytete të shumta, me studentët dhe mësuesit që kanë qenë ndër grupet më aktive. Falja e tyre shihet si një hap drejt uljes së tensioneve dhe qetësimit të situatës.
Vetë Presidenti Vuçiç kishte deklaruar më herët se shumica e kërkesave të studentëve ishin përmbushur, me përjashtim të çështjes së faljes së 13 të ndaluarve. Vendimi i sotëm tregon se ai ka vendosur t’i përgjigjet edhe kësaj kërkese.
Faljet pritet të sjellin reagime të ndryshme në opinionin publik dhe në radhët e opozitës, e cila ka akuzuar qeverinë për shtypje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për protesta. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky hap do të qetësojë situatën apo do të shkaktojë zhvillime të reja në skenën politike serbe.