Trupi i 23-vjeçarit shqiptar Hekuran Cumani u gjet pa shenja jete në parkingun e Universitetit të Matematikës në Perugia, me plagë të shumta nga goditjet me thikë.
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin italian të Perugias në orët e para të mëngjesit, ku një i ri shqiptar është gjetur i pajetë në një pellg gjaku pranë fakultetit të Matematikës. Viktima është identifikuar si Hekuran Cumani, vetëm 23 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se i riu është qëlluar me thikë pas një përplasjeje ende të paqartë. Autoritetet italiane po hetojnë nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo për një atentat të planifikuar.
Trupi i tij u gjet rreth orës 2:00 të mëngjesit në parkingun përballë fakulteteve të Ekonomisë dhe Matematikës, shumë pranë mensës së universitetit. Pamjet e sigurisë në zonë pritet të jenë kyçe për identifikimin e autorëve.
Zona ku ndodhi ngjarja është një parking publik, që qëndron i hapur dhe falas gjatë natës, nga ora 19:00 deri në 07:00. Ai përdoret shpesh nga studentë, banorë dhe vizitorë që frekuentojnë klubet dhe lokalet e qendrës historike të qytetit.
Policia italiane ka rrethuar zonën dhe po mbledh dëshmi nga qytetarët që mund të kenë parë diçka të dyshimtë para ngjarjes. Hetuesit kanë nisur edhe kontrollin e telefonit të viktimës për të identifikuar kontaktet e fundit para vrasjes.
Sipas mediave italiane, banorët e zonës kanë dëgjuar zhurma dhe ulërima pak para se të zbulohej trupi, duke ngritur dyshime se Cumani mund të jetë përfshirë në një grindje që përfundoi tragjikisht.
Prokuroria e Perugias ka hapur një hetim për “vrasje me dashje”, ndërsa po pritet rezultati i autopsisë që do të përcaktojë numrin e plagëve dhe mjetin e përdorur në krim.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe edhe në komunitetin shqiptar në Itali, ku Hekuran Cumani njihej si një djalë i qetë dhe pa precedentë penalë. Të afërmit e tij janë në pritje të lejes për transportimin e trupit në Shqipëri.
Policia italiane vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm që qëndrojnë pas kësaj vrasjeje të rëndë që ka lënë pa fjalë Perugian.