Selim Velsula u qëllua për vdekje me thikë në fshatin Xibërr nga kushëriri i tij Hazbi Velsula, i cili u arrestua në Allias të Tiranës, ndërsa familja mohon konflikte të mëparshme mes tyre
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Xibërr në bashkinë e Klosit, ku 65-vjeçari Selim Velsula u vra me thikë nga kushëriri i tij, Hazbi Velsula. Krimi ndodhi në mesditën e së mërkurës, teksa viktima po kujdesej për bagëtitë në pronat e familjes. Policia u vu menjëherë në ndjekje të autorit, të cilin e arrestoi në zonën e Alliasit në Tiranë.
Sipas dëshmisë nga kushëriri tjetër i viktimës, Rasim Velsula, mes dy familjeve nuk ka pasur kurrë konflikte. Ai hedh dyshime të forta se autori ka qenë në gjendje të rënduar mendore. “Nuk kishim mosmarrëveshje. Ishim në marrëdhënie të mira, ndoshta ai ka qenë në depresion. Është i ri, i pamartuar dhe kishte jetuar prej vitesh në Tiranë. Ne mendonim se ndodhej në Greqi,” tha ai.
Ngjarja u regjistrua pasditen e djeshme, kur Selim Velsula u gjet i shtrirë në rrugën e fshatit, i pajetë dhe me plagë të shumta me thikë në gjoks. Pranë trupit u gjet edhe mjeti prerës që dyshohet se është përdorur në krim. Policia verifikoi shpejt autorësinë dhe identifikoi si të dyshuar Hazbi Velsulën, kushëririn 28-vjeçar të viktimës.
Informacionet e para zbulojnë se viktima kishte dalë për të kullotur bagëtinë dhe ishte kthyer në shtëpi për të marrë ujë, kur autori i kishte kërkuar të afrohej me pretendimin se kishte “një muhabet”. Në atë moment dyshohet se e ka qëlluar disa herë me thikë, duke e lënë të gjakosur në tokë.
Pas sulmit, viktima ka tentuar të ecë drejt banesës, por ka rënë rrugës pa ndjenja. Një banor i zonës që po kalonte për të marrë ujë, e ka gjetur të shtrirë dhe ka njoftuar menjëherë bashkëshorten dhe fshatarët. Autoritetet reaguan me shpejtësi, duke bërë të mundur kapjen e autorit brenda pak orësh.
Pas kryerjes së vrasjes, Hazbi Velsula i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka rrëfyer krimin. Kjo e fundit njoftoi menjëherë policinë, që organizoi një operacion për kapjen e tij. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se autori dyshohet të ketë pasur probleme të shëndetit mendor, gjë që mund të ketë ndikuar në aktin e rëndë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe ekzaminimi psikiatrik i autorit për të kuptuar më mirë gjendjen e tij në momentin e krimit. Ndërkohë, familja e viktimës kërkon drejtësi dhe shpreh tronditjen e thellë për këtë humbje të papritur.