Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë që tronditi mesditën e djeshme qytezën e Orikumit, ku një burrë vrau bashkëshorten e tij dhe më pas i dha fund jetës me armë zjarri.
Sipas informacioneve nga familjarë të çiftit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në banesën trekatëshe të çiftit Llogora Xhebroj dhe Sose Xhebroj.
Dy fëmijët e familjes, të moshës 16 dhe 19 vjeç, pasi janë përpjekur disa herë të kontaktojnë nënën e tyre në telefon dhe nuk kanë marrë përgjigje, janë nisur drejt banesës së bashku me dy shokë.
Fillimisht, djali i madh ka hyrë në banesë dhe në katin e tretë ka gjetur nënën e tij, Sose, 48 vjeçe, pa shenja jete. Mësohet se në qafë ajo kishte një fashëtë dhe ishte e gjakosur. Dyshohet se ajo ishte mbytur me këtë fashëtë të lidhur rreth qafës.
Menjëherë, vëllai i madh ka njoftuar vëllanë tjetër që ndodhej në makinë me dy shokët dhe më pas kanë njoftuar ambulancën e Orikumit. Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje dhe ka transportuar trupin e pajetë të gruas drejt Spitalit të Vlorës, ku mjekët kanë konfirmuar se ajo kishte ndërruar jetë.
Po ashtu, mësohet se edhe dy djemtë kanë shoqëruar ambulancën me trupin e pajetë të nënës së tyre. Ndërkohë që ata kanë qenë në banesë, babai i tyre kishte kryer vetëvrasjen në garazh, gjë që djali i madh nuk e dinte në atë moment.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare. Ndërkohë, varrimi i dy viktimave pritet të kryhet ditën e nesërme.