Një ngjarje tragjike ka tronditur kryeqytetin shqiptar, pasi një 24-vjeçare palestineze, Ryyan Alëan, ka humbur jetën në rrethana të pasqaruara në një apartament në rrugën e Kavajës.
Sipas të dhënave të para nga hetimet, çifti palestinez, Ryyan dhe bashkëshorti i saj, Fadi Alëan, 49 vjeç, kishin mbërritur në Shqipëri nga Gjermania më 19 shkurt. Ata kishin prezantuar dokumente greke gjatë kalimit në aeroportin e Rinasit dhe më pas kishin udhëtuar drejt Tiranës, ku rezervuan një apartament me qira në zonën e Kavajës.
Ndërkohë, hetuesit kanë analizuar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të cilat kanë zbuluar se më 22 shkurt, Fadi Alëan është parë duke u larguar nga apartamenti në rrugën e Kavajës. Më vonë, në mbrëmje, ai është regjistruar duke udhëtuar nga aeroporti i Rinasit drejt Greqisë, duke ngjallur dyshime se krimi mund të ishte kryer më herët gjatë të njëjtës ditë.
Sipas grupit hetimor, vrasja e 24-vjeçares mund të ketë ndodhur më 22 shkurt, disa ditë pas mbërritjes së çiftit në Shqipëri. Dyshimet janë se Fadi Alëan ka qëlluar bashkëshorten e tij me thikë, më pas e ka mbuluar me një çarçaf dhe ka marrë të gjitha mjetet e identifikimit dhe sendet personale të saj, duke u larguar menjëherë nga vendngjarja.
Një nga detajet që ka ngritur më shumë pikëpyetje është fakti se çifti palestinez nuk ka paraqitur dokumente identifikimi për pronarët e apartamentit, një veprim që ka thelluar dyshimet e hetuesve në lidhje me motivin dhe natyrën e udhëtimit të tyre në Shqipëri.
Për momentin, hetimet janë në fazën e avancuar dhe organet e rendit janë duke punuar për të zbardhur arsyet e krimit dhe të saktësuar motivet që mund të kenë çuar në këtë tragjedi. Grupi hetimor ka marrë informacione të reja lidhur me lëvizjet e autorit pas largimit nga Shqipëria, ndërkohë që hetuesit janë në pritje të ndihmës nga autoritetet greke për kapjen e tij.
Policia ka intensifikuar kërkimet për arrestimin e Fadi Alëan, i cili ende ndodhet jashtë vendit, duke u përpjekur të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë që ka lënë pas një jetë të humbur dhe një tragjedi familjare.