Një sherr i nisur mes një grupi adoleshentësh në rrjetin social TikTok ka përfunduar në tragjedi, pasi 15-vjeçari që u qëllua me thikë më 25 nëntor në zonën e ish-Kënetës në Durrës humbi jetën mbrëmjen e sotme.
Pas debatit në rrjet, dy të rinjtë lanë takim për të “sqaruar” konfliktin, duke shkuar të shoqëruar edhe nga miqtë e tyre. Debati me tone të ashpra degjeneroi shpejt në përleshje fizike, ku u përdorën edhe sende të forta.
Gjatë konfliktit, 15-vjeçari Erion Boba u godit katër herë me thikë – dy herë në zemër dhe dy herë në stomak – nga 14-vjeçari me inicialet M.K., me të cilin kishte debatin. Autori u arrestua pas disa orësh nga Policia e Durrësit.
Babai i 15-vjeçarit konfirmoi se sherri kishte nisur në TikTok, ku dy të miturit ishin sharë dhe kishin debatuar për “protagonizëm”. “Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë shtetit pjesën tjetër”, u shpreh ai në një emision.
Ngjarja e rëndë sjell në kujtesë vrasjen e Martin Canit në Tiranë, ku pas një debati me bashkëmoshatarin e tij Mario Përlleshaj, ky i fundit e goditi me thikë në zemër, plagë që rezultoi fatale.
“Më është tronditur shpirti përsëri” – Nëna e Martin Canit reagon për vrasjen e 15-vjeçarit: Mos na i prekni fëmijët
Florina Cani, nëna e Martin Canit, ka reaguar pas vdekjes së 15-vjeçarit Erion Boba, i cili ndërroi jetë pas nëntë ditësh luftë për jetën, pasi u qëllua katër herë me thikë nga një bashkëmoshatar.
Në një mesazh, ajo shprehet se është tronditur sërish, duke theksuar se shkolla dhe mjediset e fëmijëve duhet të jenë vende sigurie, jo lufte.
“Më është tronditur shpirti përsëri. Për Erjonin kam shkruar shumë herë; dua të jem zëri i fëmijëve tanë, por e vërteta është e dhimbshme. Pse nuk reagojnë institucionet? Shkolla duhet të jetë vend sigurie, jo lufte. Martini, Eraldo, Erjoni.
Emra fëmijësh që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës, janë plagë për zemrat tona dhe alarm për gjithë shoqërinë. Unë kërkoj mbrojtje për fëmijët tanë. Mos na i prekni fëmijët, mos na i merrni fëmijët. Zgjohuni! Merrni masa, ndaloni dhunën. Fëmijët tanë kanë të drejtë të jetojnë”, thuhet në mesazh.