Ilirjan Selmani vrau të dashurën 52-vjeçare, “Dehej dhe më dhunonte, por e duroja për shkak të dashurisë“
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Pogradecit, ku 31-vjeçari Ilirjan Selmani pranoi se kishte vrarë dhe më pas djegur trupin e të dashurës së tij, Kozeta Teço, 52 vjeçe. Krimi ndodhi brenda banesës së viktimës, pas një konflikti të ashpër që përshkallëzoi deri në përdorimin e thikës. Pas aktit të rëndë, Selmani tentoi të fshihte gjurmët duke i vënë flakën trupit të saj.
Autoritetet kapën autorin brenda disa orësh, falë kamerave të sigurisë në zonë që e identifikuan dhe ndihmuan në arrestimin e tij. Në rrëfimin e tij para policisë, ai pranoi krimin dhe zbardhi marrëdhënien që kishte me viktimën. Selmani tha se e donte Kozetën pavarësisht diferencës së moshës dhe vështirësive që kalonin bashkë.
Ai u shpreh se Kozeta shpesh dehej dhe e dhunonte, por ai qëndronte pranë saj për shkak të ndjenjave që kishte. “Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës. Ajo më godiste shpesh, por e duroja sepse e doja. Më në fund nuk mund ta duroja më,” deklaroi Selmani në policinë e Pogradecit.
Marrëdhënia mes tyre kishte filluar rreth tri vite më parë, por kohët e fundit u përkeqësua për shkak të problemeve të Kozetës me shëndetin mendor dhe agresivitetit të saj ndaj tij. Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Në vijim, Selmani pritet të përballet me akuza për vrasje me paramendim dhe fshehje të provave, ndërsa hetimet për këtë ngjarje dramatike nuk kanë përfunduar ende.