Dje përfundoi regjistrimi i zgjedhësve nga diaspora pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një hap i rëndësishëm për përfshirjen e emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Ky proces, i zhvilluar për herë të parë, ka pasur një interes të jashtëzakonshëm, me 234 mijë shqiptarë që u regjistruan për të votuar. Sidoqoftë, kërkesat e 43 mijë individëve u refuzuan për shkak të pasaktësive në dokumenta.
Ekspertët e proceseve zgjedhore theksojnë se ndikimi i votave të diasporës do të ndjehet fuqishëm në ndarjen e mandateve në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas tyre, këto vota do të ndikojnë në 19 deri në 20 mandate, duke pasur një efekt të veçantë në njësitë zgjedhore ku ndarja e mandateve është e ngushtë. Në këto zona, mjafton një numër i vogël votash, si 50 ose 100, për të ndikuar në shpërndarjen e mandateve ndërmjet subjekteve politike.
Votuesit nga jashtë përfaqësojnë vetëm 15-20% të të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, megjithatë shifrat e regjistrimit janë dyfishi i parashikimeve fillestare, duke treguar një angazhim të madh nga diaspora për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Dritan Taulla, nga Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, thekson se Tirana, Fieri dhe Durrësi janë qarket që do të ndihen më shumë nga ky fenomen, me rreth 4 mandate për Tiranën dhe 3 për Fierin.
Ekspertët janë të mendimit se nëse partitë politike do të inkuadrojnë më shumë figura të njohura nga diaspora në listat e kandidatëve për deputetë, kjo mund të rrisë ndjeshëm pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhje. Kristaq Kume, drejtor i Institutit për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore, shprehet se fitorja e kandidatëve të diasporës mund të sjellë një forcë të re politike, e cila do të pasqyrojë problemet dhe nevojat e emigrantëve shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë.
Një nga qëllimet kryesore të këtij procesi është të sigurojë që votat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të mos shpërndahen në mënyrë të paqartë mes partive të mëdha, por të përqendrohen tek përfaqësues të diasporës, për të pasur një zë të qartë dhe të fuqishëm në Parlament. Kjo kërkesë ka gjetur mbështetje edhe nga organizatat si KRIIK, të cilat janë përpjekur që emigrantët të kenë përfaqësues të dedikuar.
Ndërkohë, pjesëmarrësit e procesit zgjedhor presin që të dhënat përfundimtare të shkojnë deri në 250 mijë votues, një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë që po realizon këtë hap për herë të parë. Përfundimisht, mbetet për t’u parë se si partitë politike do të përdorin këtë mundësi për të përfshirë më shumë përfaqësues nga diaspora dhe nëse do të krijohet një grup parlamentar i diasporës në Kuvendin e Shqipërisë.