Vota e Diasporës Shqiptare: Pesha reale dhe simbolike në zgjedhjet e ardhshme

Në edicionin e sotëm të emisionit “Na thërret Atdheu”, do të trajtohet një nga temat më aktuale për shqiptarët jashtë vendit: vota e diasporës dhe ndikimi i saj në rezultatin e zgjedhjeve. Programi do të ndalet veçanërisht tek arsyet pse mbështetja e emigrantëve shqiptarë për Partinë Socialiste vazhdon të jetë e fortë, si dhe te faktorët që ndikojnë në këtë fenomen.

Të ftuarit, Perparim Gjeka nga Kina, përfaqësues i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Llesh Murrani shkrimtar dhe aktivist, Shkelzen Rustemaj nga Anglia, kryetar i PD-së dhe i degës së Londrës, si dhe Shpetim Zinxhiria, gazetar dhe aktivist në Greqi, do të sjellin këndvështrimet e tyre mbi rolin e diasporës në procesin zgjedhor.

Në diskutim do të trajtohen perceptimi për stabilitetin politik, rrjetet e lidhjeve personale dhe institucionale, si dhe angazhimi në projekte infrastrukturore dhe investime nga diaspora. Vëmendje të veçantë do të marrë edhe komunikimi politik dhe PR-i, si dhe dobësia e alternativës opozitare që shpeshherë shfaqet si pengesë për ndryshimin e pushtetit.

Emisioni do të analizojë edhe efektin e votës simbolike të diasporës, që megjithëse nuk shfaqet gjithmonë në shifra të mëdha, mbetet një tregues i qartë i aspiratave dhe qëndrimeve të komuniteteve shqiptare jashtë vendit. Ekspertët do të diskutojnë se si përvoja e emigrantëve ndikon në pritshmëritë e tyre ndaj institucioneve shqiptare dhe çfarë roli luan ambasada shqiptare në angazhimin e diasporës gjatë fushatave zgjedhore.

Gjatë emisionit do të shtrohen pyetje të rëndësishme për të kuptuar më mirë pozicionin e diasporës: si e percepton ajo rezultatin e zgjedhjeve, përse mbështet një qeveri me sfida të shumta në vendlindje, a është vota e saj më shumë simbolike apo me ndikim real, dhe sa i rëndësishëm është faktori ekonomik dhe ndihmat familjare në vendimmarrje.

Në fund të programit, do të kërkohet të kuptohet nëse emigrantët ndihen të përfaqësuar nga politika shqiptare, si është raporti i tyre me partitë politike, cilat janë shqetësimet kryesore që shprehin për vendin dhe nëse kanë ndjerë ndryshime në qasjen e shtetit shqiptar ndaj tyre gjatë viteve të fundit.

Pyetjet që do të trajtohen në emision:

  1. Si është perceptuar nga Diapora rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri dhe fitorja e thellë e PS?
  2. Cilat janë arsyet kryesore që shtyjnë emigrantët shqiptarë në vende të botës të mbështesin një qeveri me probleme të shumta në vendlindje?
  3. Si e shihni rolin e ambasadës shqiptare në angazhimin me diasporën gjatë këtij procesi?
  4. A pati mobilizim politik të diasporës shqiptare për zgjedhjet e fundit?
  5. Si ndikon përvoja e emigrantëve në pritshmëritë ndaj institucioneve shqiptare?
  6. E shihni votën e diasporës si më shumë simbolike apo me ndikim real në politikën shqiptare?
  7. A ndihet e përfaqësuar nga politika shqiptare?
  8. Si është raporti i emigrantëve në botë me partitë politike shqiptare – a ka kontakt, komunikim, përfaqësim?
  9. Cilat janë shqetësimet më të mëdha që shpreh diaspora për vendin?
  10. Emigrantët shqiptarë në botë janë më të hershmit – si ka ndryshuar marrëdhënia e tyre me politikën në Shqipëri?
  11. A ndjejnë qytetarët shqiptarë në botë se kanë ndonjë ndikim real në zgjedhjet në vend?
  12. Sa i rëndësishëm është faktori ekonomik dhe ndihmat familjare në vendimmarrjen politike të diasporës?
  13. Si e shihni pjesëmarrjen politike të shqiptarëve në vendin tuaj – a janë më të integruar në vendin pritës apo më të lidhur me Shqipërinë?
  14. A ekziston një angazhim i qëndrueshëm i diasporës shqiptare për çështjet politike të vendlindjes?
  15. A kanë ndjerë emigrantët shqiptarë ndonjë ndryshim në qasjen e shtetit shqiptar ndaj diasporës vitet e fundit?

Ndaj Postimin: