Fluksi i madh i mjeteve në pikën kufitare të Muriqanit ka shkaktuar pritje disa orëshe nën temperatura mbi 40 gradë, duke vështirësuar lëvizjen drejt Shqipërisë.
Një trafik i rënduar ka paralizuar sot pikën kufitare të Muriqanit, ku mijëra udhëtarë janë detyruar të presin për orë të tëra në radhë. Disa prej tyre raportojnë se për të kaluar vetëm një kilometër kanë qëndruar mbi dy orë nën diellin përvëlues.
Shumica e udhëtarëve vijnë nga Italia, pas një rrugëtimi të lodhshëm prej rreth 15 orësh. Ata udhëtojnë shpesh me fëmijë të vegjël, duke e bërë situatën edhe më të vështirë, ndërsa termometri në zonë shënon mbi 40 gradë Celsius.
Të lodhur dhe të irrituar, udhëtarët i bëjnë thirrje autoriteteve të përmirësojnë menaxhimin e fluksit dhe të sigurojnë kushte minimale, si ujë, hije dhe ndihmë për të moshuarit e fëmijët gjatë pritjes.
Sipas burimeve nga policia kufitare, vonesat lidhen me kontrollet e rrepta të palës malazeze, të cilat po zbatohen pas një ngjarjeje kriminale të ndodhur mbrëmë në Budva. Kontrollet po fokusohen kryesisht te personat e moshës 18 deri 35 vjeç.
Megjithëse situata po rëndon çdo orë, autoritetet kufitare shqiptare nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar. Udhëtarët, ndërkohë, mbeten të bllokuar mes vapës dhe vonesave, në pritje që qarkullimi të normalizohet.
Kjo gjendje ka rikthyer debatin mbi nevojën e koordinimit mes dy palëve kufitare për të shmangur kaoset në periudhat me fluks maksimal veror.


