Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja doganore, duke i cilësuar ato si një gabim dhe duke paralajmëruar një përgjigje të vendosur nga Bashkimi Evropian.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, von der Leyen theksoi se Evropa ndodhet përballë një ndryshimi të thellë gjeopolitik, të shoqëruar me tensione tregtare, luftëra dhe rivalitete për lëndët e para strategjike. Sipas saj, këto sfida duhet të shërbejnë si nxitje për ndërtimin e një pavarësie më të madhe evropiane.
Ajo u shpreh se tarifat shtesë të propozuara nga administrata amerikane, përfshirë kërcënimin për tarifa deri në 200 për qind ndaj verërave dhe shampanjës franceze, janë veçanërisht problematike mes aleatëve afatgjatë. Von der Leyen kujtoi se BE-ja dhe SHBA-të kanë arritur një marrëveshje tregtare në korrik dhe theksoi se marrëveshjet duhet të respektohen. “Në politikë, ashtu si në biznes, një marrëveshje është një marrëveshje dhe kur miqtë shtrëngojnë duart, kjo duhet të ketë domethënie”, deklaroi ajo.
Në lidhje me tensionet për Groenlandën, presidentja e Komisionit Evropian u shpreh se e ardhmja e saj i takon të vendoset nga populli sovran, duke riafirmuar solidaritetin e plotë të BE-së me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës. Ajo theksoi se sovraniteti dhe integriteti territorial nuk janë të negociueshme dhe se Evropa synon të rrisë investimet për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të ishullit.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se Bashkimi Evropian po përgatit një paketë masash për forcimin e sigurisë në Arktik, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Norvegjinë dhe Islandën. Strategjia evropiane e sigurisë pritet të publikohet deri në fund të vitit.
Duke iu referuar marrëdhënieve transatlantike, von der Leyen theksoi se BE-ja e konsideron popullin amerikan jo vetëm aleat, por edhe mik, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve tregtare do të përfitonte vetëm kundërshtarët strategjikë. Ajo përfundoi duke nënvizuar se përgjigjja e Bashkimit Evropian ndaj tarifave do të jetë e bashkuar, proporcionale dhe e vendosur.