IMT dhe Policia Bashkiake Vlorë kanë vijuar këtë të mërkurë aksionin për lirimin e hapësirave publike, i cili aktualisht është përqendruar në zonën e rrugës Transballkanike.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë hequr 251 struktura të ndryshme që nga fillimi i operacionit, i cili nisi fillimisht në Lungomare dhe më pas u shtri në zona të tjera të qytetit.
IMT Vlorë njofton se janë evidentuar edhe rreth 120 struktura të tjera që zënë hapësira publike përgjatë bizneseve në rrugën Transballkanike. Aksioni pritet të vijojë gjatë gjithë javës.
Lirimi i hapësirave publike është cilësuar i nevojshëm edhe nga vetë qytetarët, të cilët kërkojnë që ndërhyrjet të shtrihen më në thellësi të lagjeve, ku problematikat mbeten të pranishme dhe ku lëvizja e këmbësorëve vështirësohet nga zënia e trotuareve.
Aksioni ka nisur në muajin korrik duke përfshirë zonën e Lungomares, dhe tashmë po vazhdon në pjesë të tjera të Vlorës. Deri më sot janë larguar 251 struktura dhe pritet që heqja e strukturave të ngjashme të vazhdojë në Transballkanike dhe në zona të tjera të qytetit.


