Vlorë, protestë paqësore e drejtuesve të autobusëve, pezullohet transporti interurban

Drejtuesit e linjave të transportit interurban në Vlorë kanë zhvilluar këtë të hënë një protestë paqësore, duke pezulluar përkohësisht aktivitetin e tyre në disa itinerare kryesore.

Si pasojë e protestës, janë ndalur linjat e autobusëve që lidhin Vlorën me Tiranën, Beratin, Elbasanin, Sarandën dhe qytete të tjera të vendit. Drejtuesit e mjeteve shprehen se masa është marrë në shenjë kundërshtimi ndaj asaj që e cilësojnë si ushtrim të aktivitetit të paligjshëm nga taksi dhe furgonë private të palicencuara.

Në deklarimet e tyre, protestuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për ndalimin dhe ndëshkimin e transportit informal, duke theksuar se ky fenomen dëmton konkurrencën e ndershme dhe funksionimin e rregullt të shërbimit publik. Një tjetër kërkesë e tyre lidhet me ndërtimin e një terminali të transportit, duke nënvizuar se Vlora mbetet, sipas tyre, i vetmi qytet i madh që nuk disponon ende një terminal të tillë.

Drejtuesit e autobusëve shprehen gjithashtu kundër zhvendosjes së aktivitetit të tyre drejt periferisë së qytetit dhe kërkojnë një takim me përfaqësuesit e pushtetit vendor për të diskutuar shqetësimet e ngritura. Ata paralajmërojnë se pezullimi i aktivitetit do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje, duke pranuar se kjo situatë sjell pasoja për lëvizjen e qytetarëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033