Vlorë, arrestohet 45 vjeçari që kundërshtoi me dhunë policin, i gjendet kanabis dhe një mjet prerës

Në Vlorë është arrestuar një 45 vjeçar, pasi kundërshtoi me dhunë një punonjës policie gjatë kryerjes së detyrës dhe iu gjet një sasi lënde narkotike, si edhe një mjet prerës.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur “Rrethi i Çolës”, ku punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor konstatoi një shkelje të Kodit Rrugor nga drejtuesi i mjetit, shtetasi L. Sh.. Pasi u njoftua për shkeljen e kryer, ai fillimisht e kundërshtoi policin me fjalë dhe më pas me veprime të dhunshme.

Në këto rrethana, efektivi i policisë bëri shoqërimin e tij të menjëhershëm në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë. Gjatë kontrollit të automjetit që ai përdorte, u gjet një sasi kanabisi, si edhe një thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë nisi procedimin penal ndaj shtetasit L. Sh., 45 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndaj Postimin: