Vlorë, arrestohen tre persona pas përplasjes së dhunshme dhe plagosjes së punonjësve të Policisë

Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës pas një ngjarjeje të dhunshme të ndodhur një ditë më parë në zonën e rrethrrotullimit të Nartës, ku mbetën të plagosur punonjës të Policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasit I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe I. D., 23 vjeç, banues në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur më 22 dhjetor 2025, në një zonë ku këta shtetas ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos.

Gjatë kontrolleve të strukturave të Bashkisë Vlorë, të zhvilluara me qëllim lirimin e hapësirave publike, të arrestuarit dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Drejtorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Vlorë, shtetasit D. K., 33 vjeç.

Pas konstatimit të sulmit, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë për të ndërprerë veprimet e paligjshme, por sipas Policisë, dhuna ka vijuar edhe ndaj efektivëve, të cilëve u janë shkaktuar dëmtime trupore. Në këto rrethana, një punonjës policie ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit për të zbrapsur sulmin, pa shkaktuar lëndime.

Punonjësit e Policisë të dëmtuar ndodhen aktualisht të shtruar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033