Vlora kufizon lundrimet për shkak të motit të keq

Autoriteti Portual i Vlorës ka ndaluar lundrimet e mjeteve të vogla dhe peshkarexhave deri më 19 nëntor, për shkak të përkeqësimit të motit dhe rritjes së rrezikut në det.

Autoriteti Portual i Vlorës ka shpallur një masë të përkohshme sigurie për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, duke pezulluar pajisjen me leje-nisje që prej orës 23:00 të datës 16 nëntor. Sipas njoftimit, ndalimi do të zgjasë deri më 19 nëntor në orën 08:00, për shkak të motit të keq të parashikuar në ditët në vijim.

Ky vendim prek vetëm mjetet e vogla, ndërsa anijet e transportit detar ndërkombëtar do të vazhdojnë të operojnë normalisht drejt destinacioneve përkatëse. Autoriteti thekson se masat janë vendosur për të shmangur incidentet që mund të shkaktohen nga dallgët e larta dhe era e fortë.

Në njoftimin zyrtar sqarohet se gjatë datave 16–19 nëntor, pritet forcë ere 6–7 ballë në drejtimin jug–juglindje, me shpejtësi deri në 20 metra në sekondë dhe dallgë që mund të arrijnë nga 1.5 deri në 2.5 metra. Kushtet pritet të jenë të vështira si brenda ashtu edhe jashtë Gjirit të Vlorës.

Për këtë arsye, drejtuesit e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit udhëzohen të marrin masa shtesë sigurie dhe të qëndrojnë të informuar mbi situatën hidrometeorologjike. Porti kërkon bashkëpunimin e të gjitha subjekteve që operojnë në fushën e detarisë, për të garantuar sigurinë e mjeteve dhe gatishmërinë e ekuipazheve.

Po ashtu, institucionet detare janë të porositura të jenë në gadishmëri për çdo situatë të papritur që mund të lindë nga kushtet ekstreme atmosferike. Autoriteti Portual nënvizon se synimi kryesor është parandalimi i rreziqeve dhe mbrojtja e jetës njerëzore dhe pronës detare.

Ndërkohë, përmirësimi i kushteve në det parashikohet të nisë pas orës 08:00 të datës 19 nëntor, moment kur pritet rikthimi gradual i operimit normal për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit.

Kjo masë vjen si pjesë e protokolleve të rregullta të sigurisë detare, që aktivizohen në situata të motit të përkeqësuar, duke synuar minimizimin e incidenteve dhe shmangien e çdo rreziku për lundruesit.

Ndaj Postimin: