Skuadra shkodrane mori një fitore të vështirë 0-1 ndaj Bylisit falë një autogoli në minutat e fundit, duke u ngjitur në vendin e parë të Superligës.
Në stadiumin “Adush Muça” në Ballsh, Vllaznia arriti fitoren e tretë radhazi në kampionat, në një ndeshje të tensionuar që u vendos nga një episod i diskutueshëm. Pas një përballjeje të fortë fizike dhe me shumë ndërhyrje të VAR-it, ekipi i Thomas Brdaric mori tre pikë të çmuara që e ngjitin në majë të renditjes.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 83-të, kur mbrojtësi i Bylisit, Peralta, devijoi pa dashje topin në portën e tij, duke i dhënë avantazhin skuadrës shkodrane. Ky moment ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, pasi deri atëherë asnjëra palë nuk kishte arritur të konkretizonte rastet e krijuara.
Ndeshja u shoqërua me polemika të shumta. Në pjesën e parë, arbitri anuloi një gol të Vllaznisë pas ndërhyrjes së VAR-it, ndërsa më vonë u anulua edhe një penallti për Bylisin. Momenti më dramatik erdhi në minutat shtesë, kur Abdullai barazoi për vendasit, por goli u anulua pas rishikimit për një faull ndaj portierit shkodran.
Pas këtij vendimi, tensioni në stadium u rrit, por Vllaznia mbajti epërsinë deri në fund, duke siguruar një fitore të vuajtur, por me vlerë të madhe në garën për kreun.
Me këtë rezultat, skuadra shkodrane ngjitet përkohësisht në vendin e parë me 16 pikë pas javës së shtatë. Egnatia, që ndjek me tre pikë më pak, do të përpiqet ta parakalojë sot në ndeshjen ndaj Dinamos që luhet në orën 17:00, ndërsa Tirana përballet me Teutën në të njëjtin orar.
Fitorja në Ballsh konfirmon formën e mirë të Vllaznisë, e cila duket më e vendosur se kurrë për të luftuar seriozisht për titullin kampion këtë sezon.