Vjedhje seriale në Tiranë, në pranga dy autorë: goditën tre dyqane brenda pak ditësh

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve të kryera në tre dyqane të ndryshme brenda pak ditësh. Të ndaluarit janë identifikuar si Elvis Cara, 38 vjeç, dhe Marvin Frashnishta, 40 vjeç, të dy banues në Durrës.

Sipas hetimeve, më 15 dhjetor 2025, dy shtetasit kanë vjedhur tetë pajisje elektronike në një dyqan në zonën e Yzberishtit. Dy ditë më vonë, më 17 dhjetor, ata dyshohet se kanë marrë një shumë parash nga një tjetër dyqan në rrugën “Bardhyl”. Ndërsa sot, më 19 dhjetor, akuzohen se kanë kryer një tjetër vjedhje, duke marrë një pajisje elektronike në një dyqan në Rrugën e Kavajës.

Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Duo”, i finalizuar nga shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të bëra nga qytetarët dhe veprimeve të shpejta hetimore. Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe automjetin që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve.

Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh në kryeqytet. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Ndaj Postimin: