Një vjedhje e rëndë është konstatuar në manastirin e Shën Gjergjit në Sarandë, ku është grabitur kambana e këtij objekti të shpallur monument kulture. Mungesa e kambanës është vënë re dy ditë më parë nga kujdestari i manastirit, David Dulaj.
Manastiri i Shën Gjergjit ndodhet në një kodër mbi aksin rrugor Sarandë–Ksamil, pranë zonës së njohur si Plazhi i Manastirit. Objekti ka një histori rreth 250-vjeçare dhe është ndërtuar mbi themelet e Murit antik të Demës, duke përbërë një pasuri me vlerë të veçantë historike, kulturore dhe fetare për zonën.
Rrethanat e vjedhjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet janë vënë në dijeni për ngjarjen dhe pritet të nisin verifikimet për identifikimin e autorëve dhe rikuperimin e kambanës së vjedhur.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e monumenteve të kulturës, veçanërisht atyre që ndodhen në zona të hapura dhe me pak mbikëqyrje, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi mënyrën se si është realizuar grabitja.


