Vizita e Ramës në SHBA ndez debat politik në Tiranë: Eurodeputeti gjerman kërkon sqarime për “Bordin e Paqes”

Kryeministri Edi Rama është nisur këtë të mërkurë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një ftese nga presidenti Donald Trump, për të firmosur marrëveshjen që parashikon përfshirjen e Shqipërisë si anëtare në Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës.

Rama nuk ishte i pranishëm disa javë më parë, kur marrëveshja u firmos me disa udhëheqës globalë, pasi kishte zgjedhur të qëndronte në Shqipëri atë ditë. Megjithatë, ai sqaroi se do të ishte i ftuar i presidentit amerikan në Uashington për formalizimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë strukturë.

Ndërsa kryeministri udhëton drejt Shtëpisë së Bardhë për këtë vizitë, në Tiranë janë ndezur debatet politike lidhur me vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të agjendës së zgjerimit si pjesë e delegacionit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), i ka kërkuar sqarime Taulant Ballës, si kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, për arsyet e bashkimit të Shqipërisë me këtë nismë.

Sipas Gahler, në një kohë kur Bashkimi Europian nuk ka mbajtur një qëndrim të përbashkët për Bordin e Paqes që synon rindërtimin e Gazës, lind pyetja se përse Shqipëria pranoi menjëherë ftesën e presidentit të SHBA-së.

Nga ana e tij, Taulant Balla është përgjigjur se Shqipëria ka një “marrëdhënie të veçantë” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se zyrtarët e BE-së duhet të pyesin institucionet e tyre për mungesën e një qëndrimi të përbashkët nga ana e Bashkimit Europian.

“Zoti Gahler bën mirë të pyesë Këshillin Europian pse vetë BE-ja nuk ka një pozicion të përbashkët për këtë çështje”, është shprehur Balla.

Gjatë takimit, ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se çdo përpjekje për të barazuar viktimat me autorët do të sillte destabilizim. Balla i ka kërkuar delegacionit që Parlamenti Europian të angazhohet më aktivisht në këtë çështje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033