“Aplikoni vetë, procesi është i thjeshtë”, ambasada e SHBA njoftim të rëndësishëm: Viza juaj mund të refuzohet nëse…
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një njoftim të rëndësishëm në rrjetet sociale, duke paralajmëruar qytetarët shqiptarë të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e agjentëve të rremë për aplikimet për viza jo-emigruese. Sipas postimit, qytetarët nuk kanë nevojë të përdorin agjentë për të aplikuar për një vizë amerikane, pasi i gjithë procesi mund të kryhet online në vetëm tre hapa të thjeshtë.
“Nuk keni nevojë për një agjent vizash për të aplikuar për një vizë amerikane jo-emigruese. Procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe mund të përfundohet online”, theksohet në njoftimin e ambasadës. Ky informacion ka si qëllim të informojë qytetarët shqiptarë për mundësinë e realizimit të aplikimit vetjak pa u përfshirë agjentë të paligjshëm.
Ambasada ka tërhequr gjithashtu vëmendjen për përdorimin e agjencive që ofrojnë informacion të pasaktë ose të rremë, duke e cilësuar këtë praktikë si një rrezik të madh. “Mos harroni, nëse një agjenci ofron informacion të pasaktë ose të rremë, ju jeni përgjegjës dhe viza juaj mund të refuzohet! Plotësojeni vetë aplikimin tuaj”, ka paralajmëruar Ambasada e SHBA në postimin e saj.
Në fund, Ambasada ka rikujtuar se vetë ajo është burimi i vetëm zyrtar për informacionet rreth vizave dhe të gjitha shërbimet janë pa pagesë. Ajo ka ftuar qytetarët të përdorin kanalet e saj zyrtare për të marrë informacion dhe për të shmangur mundësinë e mashtrimeve.