Viti i ri shkollor 2025-2026 nis më 8 shtator

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, njoftoi nisjen e vitit shkollor më 8 shtator dhe përfundimin më 12 qershor, me kalendar të detajuar pushimesh.

Viti i ri shkollor për arsimin bazë dhe të mesëm do të hapet më 8 shtator 2025, ndërsa mbyllja është parashikuar më 12 qershor 2026. Për maturantët e klasave të 12-a, procesi mësimor përfundon më 29 maj 2026, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Ministrja Manastirliu bëri publike edhe kalendarin e pushimeve. Pushimet dimërore do të zhvillohen nga 22 dhjetori 2025 deri më 2 janar 2026, ndërsa ato të pranverës nga 30 marsi deri më 3 prill 2026.

Provimet kombëtare për nxënësit e klasës së 9-të do të zhvillohen nga 15 deri më 26 qershor, ndërsa sesioni i Maturës Shtetërore është caktuar në periudhën 1-26 qershor 2026.

Sa i përket regjistrimeve, ato vijojnë online në platformën “e-Albania” për klasat e para dhe të dhjeta deri më 31 gusht. Librat për nxënësit do të shpërndahen falas, me listat që do të afishohen nga vetë shkollat.

Një tjetër risi lidhet me komunikimin mes prindërve dhe shkollës. Ky proces do të kryhet në platformën SMIP, ku prindërit do të kenë qasje në dokumentet zyrtare, informacion për cilësinë e mësimdhënies dhe orientimin e karrierës së fëmijëve.

Ministrja nënvizoi rëndësinë e respektimit të rregullave në shkolla, përfshirë ndalimin e telefonave celularë, duke paralajmëruar masa disiplinore dhe njoftim të menjëhershëm të prindërve në rast shkeljeje.

Gjithashtu, Manastirliu garantoi mbështetje për nxënësit përmes shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë. Ajo theksoi se përdorimi i laboratorëve inteligjentë do të vijojë në lëndët shkencore, teknologjike dhe gjuhësore, ndërsa në nivel kombëtar do të mbahen aktivitete si Konkursi i Teatrit, Festivali i Shkencës dhe Konkursi i Gjuhës Shqipe.

Ndaj Postimin: