Gjatë tubimit të radhës të quajtur “Foltorja 2”, Sali Berisha deklaroi se sapo ishte kthyer nga Brazili, ku, sipas tij, kishte përfituar mbështetje ndërkombëtare për “betejën kundër të keqes”, referuar qeverisë.
Berisha e cilësoi si “nder të madh” emërimin e tij si zëvendëspresident i Internacionales Demokratike të Qendrës (CDI), duke e interpretuar këtë si vlerësim për “sakrificën e demokratëve”.
“Vij sot nga Brazili për t’ju garantuar se kemi më shumë miq se kurrë. Në betejën me të keqen, nuk jemi vetëm — kemi mbështetjen e njerëzve që duan lirinë në mbarë botën. Nderimi që më bëri Internacionalja Demokrate e Qendrës duke më zgjedhur në postin e lartë të zv. Presidentit, është nderim për sakrificat dhe qëndresën tuaj,” u shpreh ai para mbështetësve.
Berisha theksoi se beteja politike duhet të vijojë, duke i bërë thirrje pjesëmarrësve për më shumë angazhim dhe qëndresë.


