Videoja e Belinda Ballukut në tren nga Zyrihu në Bernë ndezi rrjetin, me komente ironike, aludime për SPAK dhe arratinë.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, publikoi një video ku udhëton me tren nga Zyrihu drejt Bernës, duke folur për projekte hekurudhore dhe investime në Shqipëri. Ajo shfaqet e çlirët dhe e buzëqeshur, sikur të mos kishte zhvillime të tjera politike që qarkullojnë në Tiranë.
Postimi mori me shpejtësi qindra reagime. Shumë përdorues të rrjeteve sociale i kujtuan SPAK-un në komente, duke e lidhur videon me hetimet që po zhvillohen ndaj zyrtarëve të lartë. Të tjerë sollën në vëmendje faktin se ndodhej në Zvicër, duke e paralelizuar me rastin e ish-ministrit Arben Ahmetaj, i cili sipas komenteve gjendet atje në arrati.
Ironia dhe thumbimet dominuan poshtë videos. “Rri andej me Tigrin, dhe të mëson ai si të veprosh se ka eksperiencë ose ndryshe hajde këtu dhe shoqëro Vremelinë, kundërshtari yt. E drejta vonon, por nuk harron. Paç fat në jetë!”, shkroi një komentues. Një tjetër shtoi: “Lëri porosi Ben Tigrit të të gjejë ndonjë apartament me qera andej se do të duhet dhe ty me sa duket”.
Aludimet për lidhje politike dhe përfitime nuk munguan: “Paske shku dhe ti tek Ahmetaj”, u lexua në një reagim. Disa i kërkuan llogari për zhvillimet në Tiranë: “Kanë dalë ca lajme në Shqipëri, a ke dijeni?”, ndërsa të tjerë ironizuan me hetimet: “Nesër je e ftume në SPAK”.
Mes urimeve të pakta për punët e kryera në infrastrukturë, dominuan thirrjet për vigjilencë ndaj hetimeve dhe investimeve strategjike. “Vollga Durrës a e kanë çuar SPAK-un në Bernë. Hap sytë andej”, shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër vijoi: “Shkove të bësh vend andej. Tako tigrin shko shijoji milionat”.
Për momentin, Belinda Balluku nuk ka dhënë asnjë koment publik lidhur me valën e reagimeve pas videos nga Zvicra. Replikat në rrjet sugjerojnë se çdo dalje e saj do të lexohet edhe politikisht, në një klimë kur drejtësia dhe investimet publike janë nën lupë.


