Të paktën 27 persona (shifra ka mbërritur në 35 të plagosur), përfshirë 10 efektivë policie dhe një zjarrfikës, mbetën të plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në një stacion karburanti në lagjen Prenestino në lindje të Romës.
Një shpërthim i madh tronditi qytetin e Romës mëngjesin e së premtes, kur një stacion karburanti në zonën popullore të Prenestinos u përfshi nga flakët pas një incidenti që përfshiu një tub gazi. Sipas autoriteteve italiane, bilanci paraprak flet për të paktën 27 të plagosur, por shifra ka shkuar në 35 të plagosur mes tyre edhe punonjës të shërbimeve emergjente.
Zhurma e shpërthimit u dëgjua në disa lagje të kryeqytetit italian pak pas orës 08:00 të mëngjesit, ndërsa pamjet e publikuara nga “Roma Today” tregojnë një top të madh flake dhe tymi që ngrihet në qiell. Ndërkohë, pamje të tjera nga zjarrfikësit e tregojnë karburantin thuajse tërësisht të shkatërruar.
Sipas një përfaqësueseje të policisë, përveç efektivëve të plagosur, mes të lënduarve janë edhe 16 civilë, përfshirë edhe menaxherin e karburantit. Ajo theksoi se bilanci mund të mos jetë përfundimtar, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Burime lokale konfirmojnë se përpara shpërthimit, një kamion kishte goditur një tub gazi në stacionin e karburantit, çka dyshohet se shkaktoi rrjedhjen, më pas zjarrin dhe në fund shpërthimin. Në momentin e incidentit, në vendngjarje ndodheshin zjarrfikës dhe ekipe të ndihmës së shpejtë.
🚨🇮🇹 BREAKING: Massive Explosion at Rome Gas Station
— Rizwan Shah (@rizwan_media) July 4, 2025
At least 10 injured in a powerful blast at a fuel station in #Rome
🔥 Fire broke out during main tank refueling, sparking a gas vapor explosion, which then triggered a second massive blast from an external LPG tank.#Italy pic.twitter.com/CsHo6DXAmN
Sipas autoriteteve shëndetësore, tetë persona janë shtruar në spital, dy prej tyre në gjendje të rëndë me djegie serioze që kërkojnë ndihmë me ventilim. Një person tjetër është në gjendje të rënduar, por jashtë rrezikut për jetën.
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, i pranishëm në vendngjarje, deklaroi se shpërthimi ndodhi gjatë procesit të furnizimit me gaz të një depozite. Ai e quajti ngjarjen “jashtëzakonisht të rëndë” dhe theksoi se po punohet për të zbuluar shkaqet.
Karburanti mbante logon e kompanisë ENI, por vetë grupi italian sqaroi përmes një deklarate se nuk ishte pronar i këtij stacioni. Zjarrfikësit bënë të ditur se flakët ishin ende aktive, por nën kontroll, ndërsa shpërthimi shkaktoi dëme edhe në ndërtesat përreth, duke thyer dritare dhe dëmtuar struktura të afërta.
Një qendër sportive përballë karburantit, ku zhvillohej një kamp veror për fëmijë, u evakuua me kohë. Përfaqësuesit e saj konfirmuan se të gjithë pesë fëmijët ndodhen të sigurt pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, edhe Papa Leo XIV, përmes një mesazhi në rrjetin X, u shpreh i lutur për të prekurit nga tragjedia.


