Video sekrete, kërcënime dhe dhunë brutale: pse u rrah gazetari dhe pse ende hesht për emrat

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi gazetari Elton Tozaj u dhunua brutalisht disa ditë më parë në autostradën Tiranë–Durrës. Vetë gazetari ka dhënë një version të detajuar të asaj që ndodhi, duke zbuluar prapaskenën e konfliktit, por pa përmendur emra konkretë dhe pa bërë ende një denoncim zyrtar në polici.

Sipas Tozajt, dhuna ndaj tij lidhet drejtpërdrejt me një deklaratë të bërë në një emision televiziv ku ai trajtonte temat e showbiz-it. Ai ka pohuar se kishte folur për një vajzë të njohur publike, e cila, sipas tij, kishte një lidhje intime me një personazh të botës së krimit, i cili ndodhet në kërkim nga SPAK. Gazetari thotë se kishte në posedim video komprometuese të vajzës së showbiz-it me një bos droge, të cilat i kishte publikuar përkohësisht, por më pas i kishte fshirë pas kërcënimeve që kishte marrë.

Ai rrëfen se gjithçka nisi rreth 12 ditë më parë, pas daljes së tij televizive, ku kishte shfaqur edhe pamjet që kishte në telefon. Vetëm një ditë më vonë, sipas tij, nisën kërcënimet direkte, me kërkesën e qartë që videot të fshiheshin. Edhe pse Tozaj thotë se i fshiu pamjet, presioni dhe kërcënimet nuk u ndalën.

Situata u përshkallëzua disa ditë më vonë, kur ai u kontaktua nga dy persona që i njihte vetëm sipërfaqësisht, të cilët i kërkuan një takim për të “sqaruar” situatën dhe lajmet e publikuara. Në mirëbesim, gazetari pranoi takimin, pa e imagjinuar se çfarë do të pasonte.

Sipas dëshmisë së tij, sapo u takua me ta, ai u dhunua në mënyrë çnjerëzore. Tozaj thotë se nuk mban mend detaje të plota të momentit të sulmit, por kujton vetëm një fjali që i është thënë gjatë dhunës: “Kush je ti që do të ndryshosh botën?”. Kur u përmend, e gjeti veten të gjakosur në mes të rrugës, i braktisur, duke pasur ndjesinë se autorët e kishin lënë për të vdekur.

Ai thekson se goditjet janë përqendruar kryesisht në fytyrë, duke lënë të kuptohet se dhuna kishte edhe një mesazh paralajmërues: që ai të mos shfaqej më në ekran dhe të mos fliste më publikisht. Gazetari ka deklaruar hapur se ka frikë për jetën e tij dhe për sigurinë e nënës së tij.

Pavarësisht rëndësisë së ngjarjes dhe dhunës së ushtruar, Tozaj nuk ka bërë ende një kallëzim penal në polici. Ai thotë se pret të kontaktohet nga Prokuroria për të vijuar me procedurat ligjore. Po ashtu, ai nuk ka bërë publikë emrat e personave që e kanë dhunuar, çka ka ngritur pikëpyetje dhe dyshime të forta në opinionin publik mbi arsyet e kësaj heshtjeje.

Ngjarja bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se, në emisionin ku nisi gjithçka, Tozaj kishte përmendur emra të njohur të ekranit, përfshirë edhe moderatoren Luana Vjollca, si dhe vajza të tjera të showbiz-it, duke i përfshirë në aludime për lidhje me figura të botës së krimit.

Dhuna ndaj gazetarit, mungesa e një denoncimi zyrtar dhe heshtja mbi identitetin e autorëve kanë krijuar një “dosje rozë” me shumë pikëpyetje, ku ndërthuren media, showbiz, krim i organizuar dhe frikë. Një histori që, për momentin, mbetet pezull mes deklarimeve publike dhe mungesës së veprimit ligjor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033