VIDEO/ Përfundon kampionati i futbollit për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Lushnje

NGA MUKADES DERVISHI

Pas një turi të gjatë eleminator, kampionati i futbollit për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në bashkinë Lushnje ka përfunduar me finale emocionuese mes shkollave Liri Kazazi dhe Skënder Libohova.

Ky kampionat jubilar, i 15-i në radhë, u organizua nga QKF Lushnje, Zyra Arsimore Lushnje dhe mbështetjen e Bashkisë Lushnje, dhe solli një atmosferë të ngjeshur dhe një ndeshje të rivalizuar deri në fund.

Në fushën sportive të stadiumit “Roza Haxhiu” në Lushnje, mbështetësit e të dyja shkollave ishin të shumtë dhe krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Ndeshja, megjithëse ishte e barabartë dhe e luftuar, përfundoi pa gola në kohën e rregullt, 0-0. Pavarësisht mundësive të shumta, të dyja ekipet nuk mundën të shënonin, dhe kështu, ndeshja shkoi në penallti.

Trupa e gjyqtarëve të rinj të Kolegjit të Gjyqtarëve Lushnje e çoi ndeshjen drejt penalltive, ku skuadra e shkollës Liri Kazazi doli fituese pas një përballje të fortë dhe të balancuar. Fituesit u shpallën pas një rrugëtimi të gjatë që vuri në dukje talentin dhe angazhimin e tyre.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të pranishëm ishin figura të rëndësishme të Bashkisë Lushnje. Kryetarja e bashkisë, zonja Eriselda Sefa, mori pjesë në këtë ngjarje, duke uruar fituesit dhe duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla për zhvillimin e brezit të ri. Ajo theksoi se mbështetja e vazhdueshme nga pushteti vendor për aktivitete të tilla sportive, jo vetëm për nxënësit, por për të rinjtë në përgjithësi, është thelbësore për edukimin dhe zhvillimin e shëndetshëm të brezave të ardhshëm.

Fjalën përshëndetëse dhe shpërndarjen e çmimeve e mbajti drejtori i QKF Lushnje, zoti Sajmir Bahja, i cili nënvizoi se ky kampionat nuk ishte vetëm një mundësi për të nxjerrë në pah aftësitë sportive të nxënësve, por gjithashtu një mundësi për t’i motivuar ata të angazhohen më shumë në aktivitete të tilla jashtë klasës.

Në fund, ky kampionat shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për nxënësit e shkollave 9-vjeçare të Lushnjes për t’u treguar pasionin dhe aftësitë e tyre në futboll, ndërkohë që ishte një moment i rëndësishëm për qytetin dhe bashkinë Lushnje, duke krijuar një traditë më të fortë të aktiviteteve sportive për brezin e ri.

Ndaj Postimin: