Fermerët e zonës së Fiersheganit kërkojnë mbështetje institucionale të menjëhershme për pemtarinë, përballë dëmeve nga kushtet e pafavorshme dhe mungesës së këshillimit profesional.
Kamera e TV Apollon dhe gazetari Ndriçim Gjoshi realizoi një reportazh me fermerin Ermal Topi, i cili pas tre vitesh emigracion në Greqi, është rikthyer në vend dhe merret me pemtari në një tokë prej 1.3 dylymësh, duke kultivuar pjeshkë, nektarinë, kajsi dhe kumbulla të llojit “Vanilja e zezë”.
Së fundmi, prodhimi i pjeshkës u dëmua rëndë nga breshëri që ra javën e kaluar, duke dëmtuar rreth 50% të frutave. Për shkak të dëmeve, Ermal Topi po shet vetëm prodhimin e mbetur në tregun vendas, duke hequr dorë nga eksporti. Aktualisht, ai shitet me çmimin 100 lekë për kilogram në pikat e shumicës në rajonin e Fierit.
Fermeri thekson mungesën e mbështetjes profesionale nga agronomët e punësuar në zyrat e shtetit, sidomos në AREB Lushnje, të cilët nuk e këshillojnë apo ndjekin fermerin në mënyrë aktive gjatë gjithë sezonit të punimeve dhe plehrave. Mungesa e fuqisë punëtore dhe burimeve teknike mbetet një problem i madh për fermerët.
Investimi i familjes Topi për këtë pemtari është rreth 20 mijë euro, duke përfshirë edhe energjinë elektrike në parcelë, financim ky që vjen kryesisht nga kursimet e emigracionit dhe një kredi bankare. Megjithatë, ndihma dhe subvencionet nga shteti për fermerin janë zero, duke e bërë situatën të rënduar dhe shqetësuese për bujqësinë lokale.
Kjo situatë pasqyron nevojën urgjente për një strategji konkrete mbështetjeje nga institucionet shtetërore, për të ndihmuar fermerët si Ermal Topi që të përballojnë sfidat klimatike dhe ekonomike në sektorin e pemtarisë në Shqipëri.