Video e plotë: Takimi i komunitetit politik Europian, konferenca Orban-Rama.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp së bashku me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, pas përfundimit të samitit të Komunitetit Politik Europian.

Gjatë konferencës në Budapest, Rama theksoi se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe u shpreh optimist se kjo do të ndodhë brenda kësaj dekade.

Sipas kryeministrit, dita ishte e veçantë, pasi për të, ky është një kapitull mjaft i rëndësishëm, duke patur mundësinë të bisedonte me kryeministrin Orban dhe të ndante mendime të përbashkëta mbi çështje kyçe për të dy vendet. Rama e përshkroi si një ndjesi të jashtëzakonshme ta shihte Europën e bashkuar në një forum të tillë.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria do ketë një mundësi të madhe kur të organizojë takimin e ardhshëm në Tiranë dhe synon që ai të jetë po aq i suksesshëm sa ky që u mbajt në Budapest. “Është një privilegj i madh të punojmë në ekip për këtë qëllim,” tha ai.

Rama vuri në dukje se ky lloj bashkëpunimi dhe dialogu me Bashkimin Europian ishte një ide që dikur ishte e paimagjinueshme, por që tani ka ardhur si një realitet. Ai përmendi gjithashtu ndikimin e ngjarjeve ndërkombëtare, duke përfshirë efektin që ka pasur politika e Rusisë në bashkimin dhe forcimin e BE-së.

Një aspekt tjetër që kryeministri vlerësoi ishte edhe roli i Francës dhe presidentit Emmanuel Macron në krijimin e këtij formati, të cilin Rama e përshkroi si një vizion të vjetër francez që sot po sjell rezultate të dobishme për të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Kryeministri shtoi se Shqipëria do të punojë me një ekip të përbashkët për të propozuar një strukturë të re që do të lidhë më shumë dy forume të rëndësishme europiane dhe do të lehtësojë koordinimin strategjik mes tyre. Sipas tij, strukturimi më i mirë i këtyre forumeve do ndihmojë në ndërtimin e një lidhjeje më të ngushtë midis vendeve europiane.

Ai shprehu optimizëm për të ardhmen, duke e quajtur “tragjikisht optimist” që Shqipëria do të bëhet pjesë e Europës, dhe se kjo është një destinacion natyror për vendin. Sipas Ramës, çdo ditë po punohet në këtë drejtim, dhe rruga e integrimit europian është tashmë e hapur falë presidencës hungareze të radhës.

Ndërkohë, negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE janë në proces, dhe Rama theksoi se Shqipëria po bën hapa konkretë për t’u përgatitur për të përmbushur standardet europiane. Ai u shpreh me bindje se vendi do të jetë gati për anëtarësim brenda kësaj dekade.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri theksoi rëndësinë e angazhimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët europianë për të çuar përpara aspiratat e shqiptarëve drejt një të ardhmeje europiane, duke e cilësuar këtë si një qëllim të pandalshëm për qeverinë e tij.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera