Në fshatin Senicë të Delvinës, tre të moshuar pensionistë po përballen me dhunë dhe kërcënime të vazhdueshme për të mbrojtur pronën e tyre – 8 dynym tokë me 77 rrënjë ullinjë.
Foto Çollaku, 71 vjeç, bashkëshortja e tij Amalia, dhe motra e tij Maria, 74 vjeçe, janë bërë viktima të një ngërçi të gjatë që ka nisur që nga viti 2021. Ata janë sulmuar fizikisht, janë kërcënuar me thikë dhe janë sharë nga individë që pretendojnë të marrin pronën e tyre.
Pavarësisht ankesave të vazhdueshme në polici dhe prokurori, askush nuk ka ndërmarrë asnjë masë për t’i mbrojtur ata. “Ne jemi të moshuar, të varfër dhe pa mbështetje, ndërsa ata kanë mbështetje politike,” thonë ata, duke shprehur dëshpërimin për mosmarrjen e një reagimi nga institucionet shtetërore. Të moshuarit kanë bërë kallëzime për dhunën dhe kërcënimet, kanë shkuar disa herë në spital dhe kanë marrë edhe raport mjekësor, por askush nuk është angazhuar për t’i ndihmuar.
Maria dhe Fotua kanë dokumente zyrtare që vërtetojnë se 8 dynym tokë është e tyre, duke përfshirë dy vendime gjykate të vitit 2004 dhe 2010, si dhe regjistrimin në librin e njohjes së pronës në vitin 1991, sipas ligjit 7501. Edhe pse kjo tokë është e dokumentuar dhe e ligjshme, ata janë vazhdimisht të kërcënuar dhe dhunuar nga njerëz që pretendojnë pronën, të cilët janë rrethuar tokën e tyre dhe kanë ushtruar dhunë të pamëshirshme.
Kronika
Për shkak të angazhimeve të fëmijëve të tyre që jetojnë jashtë shtetit, Fotua dhe Maria kanë mbetur të vetmuar për t’u përballur me këtë situatë. Ata janë drejtuar me letra Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, por përgjigje nuk kanë marrë, përveçse një këshille për t’u drejtuar në gjykatë. “Nëse shteti nuk e zgjidh, do të jem i detyruar të marr drejtësinë në duar të mia,” shprehet Fotua, i cili nuk ka asnjë shpresë se institucionet do të ndërmarrin veprime konkrete.
Në fshatin Senicë, historia e dhunës për pronën nuk është e re. Shpesh herë, për motive pronësie janë ndodhur konflikte të dhunshme, madje dhe vrasje. Por, kjo situatë është bërë më alarmante pasi individët që kërkojnë pronën e këtyre të moshuarve duket se kanë mbështetje politike dhe ndikim në drejtësi. Fotua dhe Maria shprehen të dëshpëruar për pasivitetin e shtetit dhe për faktin se nuk po marrin asnjë mbështetje për të mbrojtur pronën e tyre, e cila ka një histori të gjatë ligjore.
Në një apel drejtuar autoriteteve, ata kërkojnë që të ndërhyhet urgjentisht, për të parandaluar që ky konflikt të përfundojë me gjakderdhje. “Nuk mund të presim më,” thonë ata, duke theksuar se pa veprime të shpejta dhe konkrete, ky rast mund të përfundojë si shumë të tjerë, ku pasojat e vonuara të drejtësisë i paguajnë viktimat. Ndërkohë, shteti duhet të tregojë angazhim dhe të japë drejtësi për ata që janë të pambrojtur dhe të paaftë për t’u mbrojtur vetë.