Në ekzistencën njerëzore ka disa lloj vetmish. Vetmia e pjesshme, që i shërben individit për të shqyrtuar dhe për të komunikuar me veten dhe vetmia absolute në cilën individi gjendet pambarimisht i kyçur brenda vetes.
Teksa shoh galerinë e grave, që akuzohen si plaçkitëse të taksave të shqiptarëve,më thellohet akoma më shumë bindja se janë gra që jetojnë vetminë absolute. Them vetminë absolute sepse gjatë procesit të zhvatjes së taksave të shqiptarëve, këto gra nuk kanë pasur dikë që t’u thotë një fjalë këshilluese të llojit; Kjo, që po bën, herët apo vonë do të dalë në dritë dhe do të shkosh në burg. Ndaj hiq dorë.
Procesi i zhvatjes nuk ka filluar brenda një viti, por ka plot 12 vite. 12 vite që këto gra zhvasin pa u vetëdijësuar në asnjë çast se një ditë mund të dënohen për çfarë kanë bërë.
Këto gra kanë qenë të barasvlershme me një bankomat që ka vetëm një funksion; Të nxjerrë lekët sa herë që ti vë kartën brenda tij.
Gratë bankomat janë gratë që jetojnë vetminë absolute për arsyen e thjeshtë se askush që i rrethon nuk ka asnjë vramendje se çfarë do të ndodhë me to nesër. E rëndësishme është që gruaja bankomat të vazhdojë të nxjerrë para.
Në jetë njeriut mund t’i mjegullohet arsyeja për një çast, por njerëzit e afërm janë pikërisht vetëdija që mund ta ndihmojnë arsyen e mjegulluar të rikthehet në arsyetim të kthjellët.
Këto gra janë në paradhomën e burgut dhe vazhdojnë kokëforsisht funksionin e tyre si gra bankomat, pa kuptuar se në qelinë e burgut do të jenë thjesht një bankomat i dalë jashtë përdorimit.
Post Scriptum- Gra, që dalin jashtë përdorimit për familjarët e tyre, për shoqërinë dhe për veten. Gra bankomat.
Elona Caslli