Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinovic, ka komentuar barazimin 0-0 të skuadrës së tij ndaj Laçit në Kupë, duke analizuar ndeshjen dhe duke theksuar nevojën për përmirësim.
Veselinovic tha se ndjenjat pas ndeshjes ishin të përziera, pasi, sipas tij, kjo ishte vetëm ndeshja e parë dhe skuadra kishte disa mundësi që nuk i shfrytëzoi.
“E kam thënë edhe para ndeshjes, kjo është vetëm ndeshja e parë. Ndeshja nuk ka qenë shumë e bukur për t’u parë, pati shumë dyluftime. Në pjesën e parë, kundërshtari pati disa mundësi, por ne nuk arritëm t’i shfrytëzonim ato. Pas këtij barazimi 0-0, duhet të bëjmë analizat tona dhe të shohim se si mund të përmirësohemi,” tha Veselinovic.
Trajneri i të kuqëve theksoi gjithashtu se ndeshja e ardhshme do të jetë më e vështirë, por për të nuk ka rëndësi nëse luhet në shtëpi apo jashtë. “Kemi shumë ndeshje përpara dhe çdo ndeshje duhet ta marrim me radhë, duke përfshirë edhe sfidën e ardhshme në kampionat,” shtoi ai.
Veselinovic e komentoi gjithashtu faktin që, pas minutës së 20-të, ndeshja pati një interpretim ndryshe, por theksoi se kjo është një pikëpamje individuale. Ai vuri në dukje se të gjithë lojtarët kishin mundësinë e tyre për të treguar veten dhe se në ekip ka shumë lojtarë të rinj që duhen mbështetur.
Në fund, trajneri i Partizanit u shpreh se është e vështirë të krahasohen ndeshjet e Kupës dhe ato të kampionatit, pasi çdo ndeshje ka specifikat e veta. Megjithatë, ai e mbylli intervistën duke theksuar se sfida e sotme është mbyllur me korrektësi dhe se, megjithëse ka disa gjëra për të rregulluar, duhet të jenë të gatshëm për çdo sfidë të paparashikueshme që mund të vijë në Kupë.