Është zhvilluar këtë të shtunë ceremonia e prezantimit të ministrit të ri të Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili merr zyrtarisht detyrën pas Pirro Vengut.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës, Vengu theksoi se angazhimi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes i ka dhënë një kuptim të ri nocionit të autoritetit dhe përgjegjësisë. Ai u shpreh se kalimi i tij me kohë të plotë në detyrën e deputetit të Vlorës nuk përbën largim nga misioni i sigurisë kombëtare.
“Siguria nuk mbrohet vetëm në një zyrë. Ajo mbrohet në shumë tryeza. Do ta mbaj gjithmonë me vete frymën e kësaj ministrie”, deklaroi Vengu, duke shtuar se puna me efektivët e Forcave të Armatosura i ka mësuar përulësinë dhe vetëpërmbajtjen.
Ai theksoi se përgatitja është e domosdoshme, edhe pse lufta mbetet gjithmonë një tragjedi, ndërsa nënvizoi se institucionet forcohen përmes përgjegjësisë dhe vazhdimësisë.
“Institucioni është i fortë, Shqipëria është në duar të sigurta dhe misioni vazhdon”, u shpreh Vengu, duke shtuar se detyrën ia dorëzon një bashkëpunëtori që e njeh mirë këtë fushë.
Nga ana e tij, ministri i ri Ermal Nufi vlerësoi punën e paraardhësit dhe theksoi rëndësinë e vazhdimësisë institucionale. Ai shprehu respekt për Forcat e Armatosura dhe për sakrificat e personelit ushtarak.
“Institucionet forcohen mbi bazën e punës së përditshme dhe mbi respektin për ata që kanë shërbyer para nesh”, deklaroi Nufi, duke shtuar se do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat për të rritur kapacitetet e sigurisë së vendit.
Ai theksoi gjithashtu se shërbimi ndaj atdheut kërkon përkushtim dhe sakrificë, ndërsa angazhohet për të vijuar forcimin e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare.