Shqipëria, Kosova dhe Kroacia po kalojnë nga koordinimi politik në bashkëpunim konkret ushtarak, me paralajmërimin për zhvillimin e stërvitjes së parë trilaterale gjatë këtij viti.
Takimi i zhvilluar në Tiranë mes Gjeneral Bashkim Jasharit, Gjeneral Arben Kingjit dhe Gjeneral Tihomir Kundid shënoi një hap të ri në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes tre vendeve.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, ky koordinim synon rritjen e ndërveprueshmërisë, përmirësimin e gatishmërisë operacionale dhe përballimin e kërcënimeve hibride në rajon.
Në fokus të diskutimeve ishin stërvitjet e përbashkëta, programet e trajnimit dhe shkëmbimi i përvojave mes forcave të armatosura të tre vendeve.
Stërvitja e parë trilaterale pritet të zhvillohet brenda këtij viti, duke konkretizuar bashkëpunimin në terren dhe jo vetëm në nivel deklarativ.
Takimi në Tiranë konsiderohet si një sinjal i qartë për thellimin e koordinimit rajonal në fushën e sigurisë, në një kontekst ku sfidat hibride dhe kërcënimet e reja kërkojnë përgjigje të përbashkëta.