Vendimi u vonua mbi 1 vit e 10 muaj, Ministri i Drejtësisë kërkon hetim disiplinor për gjyqtaren e Apelit

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë me një kërkesë zyrtare për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi. Sipas kërkesës, gjyqtarja ka vonuar zbardhjen e vendimit të arsyetuar për 1 vit, 10 muaj dhe 20 ditë, duke tejkaluar afatet ligjore.

Procedura është vënë në lëvizje pas një ankese të dërguar në rrugë elektronike nga shtetasi E.L. Ministria e Drejtësisë ka kryer verifikimin administrativ për çështjen penale me objekt “Kundërshtim i vendimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimit penal”.

Në shkresën drejtuar ILD-së, ministri argumenton se neni 430/1 i Kodit të Procedurës Penale parashikon që, kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai duhet të arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja, me mundësi zgjatjeje edhe për 30 ditë të tjera në rastet e parashikuara nga ligji. Në këtë rast, sipas Ministrisë, afati është tejkaluar ndjeshëm.

Në dokument theksohet se një vonesë e tillë cenon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe ndikon në të drejtën për një proces të rregullt ligjor, pasi pengon palët në ushtrimin në kohë të mjeteve të ankimit. Për këtë arsye, ministri vlerëson se ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për nisjen e procedimit disiplinor për shkelje të detyrimeve procedurale të përcaktuara në ligj.

Kjo është kërkesa e pestë që ministri Lamallari i drejton ILD-së që prej marrjes së detyrës, katër prej të cilave për hetim disiplinor dhe një për verifikim ankese. Ministria e Drejtësisë njofton se po ndjek edhe raste të tjera të referuara nga qytetarët dhe do t’i adresojë ato pranë institucioneve përkatëse, duke theksuar rëndësinë e respektimit të afateve procedurale dhe standardeve ligjore për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033