Vendimi për mbylljen e TikTokut/ Berisha: Këtë e zgjidh vetëm rinia dhe përdoruesit e aplikacionit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e qeverisë për të mbyllur aplikacionin TikTok në Shqipëri.

Në një dalje për mediat, ai e ka cilësuar këtë veprim si një akt të pastër censurë, duke theksuar se ai është një shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe përdorimit të teknologjisë nga qytetarët.

Berisha është pyetur gjithashtu nëse Partia Demokratike ka ndërmend të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar këtë vendim. Ai u shpreh se ky është një problem që nuk mund të zgjidhet nga politika, por nga rinia dhe përdoruesit e TikTok. Sipas tij, ata janë ata që mund të ndalojnë këtë censurë dhe të mbrojnë lirinë e përdorimit të platformës.

Më herët, kryedemokrati shpalli një protestë kombëtare, që do të zhvillohet më 15 mars para Kryeministrisë. Berisha theksoi se protesta synon të kërkojë anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve për të përdorur platformën e TikTok. Ai e ftoi gjithë rininë, gjimnazistët dhe qytetarët që të mblidhen dhe të kërkojnë nga qeveria të tërhiqet nga ky vendim, të cilin ai e cilësoi si të padrejtë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha ftoi prindërit dhe të rinjtë që të mos bien viktimë e “mashtrimit banal” dhe “të pacipë” të kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi gjithashtu se lidhja mes vrasjes së Martin Canit dhe përdorimit të TikTok nuk ka asnjë bazë, pasi, sipas tij, as martini dhe as autori i ngjarjes tragjike nuk kishin llogari në këtë platformë.

Ky reagim vjen pas vendimit të qeverisë për të bllokuar TikTok, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga të rinjtë, duke ngritur shqetësime për lirinë e shprehjes dhe kufizimet që mund të vendosen ndaj përdoruesve të saj. Partia Demokratike ka shprehur se nuk do të pranojë një vendim të tillë dhe se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për ta kundërshtuar atë.

Ndaj Postimin: