Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë brenda afatit ligjor nëse Erion Veliaj do të rikthehet në detyrë ose Tirana do të shkojë në zgjedhje, pas një seance maratonë prej shtatë orësh.
Gjykata Kushtetuese ka në dorë çështjen që ka trazuar skenën politike në kryeqytet: kërkesën e Erion Veliajt për të anuluar shkarkimin nga posti i kryebashkiakut të Tiranës si dhe dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Sipas procedurës, institucioni ka deri në 30 ditë për të shpallur vendimin.
Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë publike dhe politike që e shoqëron këtë çështje, burime pranë gjykatës nuk përjashtojnë që vendimi të publikohet që gjatë javës së ardhshme, duke dhënë qartësi nëse Veliaj do të rikthehet në detyrë apo nëse qytetarët e Tiranës do të thirren drejt kutive të votimit.
Seanca e mbajtur një ditë më parë zgjati rreth shtatë orë dhe përballi Veliajn me përfaqësues të Kryeministrisë dhe Presidencës, dy institucionet që firmosën aktin e shkarkimit dhe dekretuan zgjedhjet e reja në Bashkinë e Tiranës.
Veliaj, i cili u shfaq për herë të parë në publik pas rreth nëntë muajsh paraburgim, kërkoi që vendimi të anullohet. Ai e konsideroi procedurën e largimit si të motivuar politikisht, duke theksuar se është hequr nga detyra pa një bazë të qartë ligjore.
Ai deklaroi se është trajtuar në kushte të padrejta, “më rëndë se personat e akuzuar për krime të rënda”, dhe se sipas tij, ky proces ka synuar të mbyllë zërin e tij si përfaqësues i një votimi të drejtpërdrejtë qytetar.
“Besimi se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë,” tha ai gjatë seancës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave dhe Presidencës qëndruan në mbrojtje të vendimit të tyre, duke thënë se çdo hap është marrë në përputhje me ligjin. Ata kërkuan që Gjykata Kushtetuese të shpallë moskompetencën e saj dhe çështja të trajtohet në Gjykatën Administrative.
Polemika kryesore u përqendrua te arsyetimi i shkarkimit mbi bazën e mungesës së Veliajt në detyrë për një periudhë tre mujore. Vetë Veliaj e cilësoi këtë argumentim si fyese dhe të pavend, sidomos nga kolegët që, sipas tij, janë të njohur me kontributin e tij në drejtimin e bashkisë.
Vendimi final pritet brenda afatit 30-ditor, por trupa gjykuese mund të kërkojë kohë shtesë për arsyetimin e plotë të vendimit, gjë që mund ta shtyjë publikimin e tij.


